Detaje nga aksidenti në “Ibrahim Rugova”: Viktima ngiste veturë me targa të huaja

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova” mes një kamioni dhe një veture.

Për pasojë, shoferja e veturës ka humbur jetën në vend të ngjarjes, ndërsa shoferi i kamionit ka pësuar lëndime.

Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Ai tha se vetura e aksidentuar ishte me targa të huaja.

“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, në kilometrin e 26-të, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja”.

“Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai, raporton Klankosova.tv.

Kelani njoftoi gjithashtu se në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore të cilat janë duke u marrë me rastin, kanë dalë edhe njësia e zjarrfikësve dhe njësitë relevante.

Ndërkaq, Klankosova.tv mëson se aksidenti tragjik ka ndodhur pikërisht në zonën ku ka rrëshqitur dheu tash e disa javë, zonë në të cilën kanë ndodhur aksidente të shpeshta.

Lexo edhe:  Sami Lushtaku jep lajmin e hidhur, ka të bëjë me ish-luftëtarin e shquar të UÇK-së