Trafiku Urban “ngrin” kryeqytetin: Prishtina hyn në ditën e tetë pa transport publik

Kryeqyteti po hyn në ditën e tetë pa transport publik, pasi as Trafiku Urban e as operatorët privatë nuk kanë rifilluar punën. Shkak mbeten pagesat e papaguara nga Komuna e Prishtinës, të cilat, sipas kompanive, ende nuk janë ekzekutuar në llogaritë e tyre.

Për ditën e tetë me radhë, edhe sot qytetarët e Prishtinës janë pa transport publik.

Pavarësisht vendimit të javës së kaluar për bartjen e fondeve, duket se mjetet ende nuk u janë transferuar në llogari kompanive.

“Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban.

Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së sektorit privat të autobusëve, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë ato sa më shpejt.

“Më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport; ata janë duke e vuajtur më së shumti. Sa më shpejt të dalin mjetet, aq më shpejt fillon transporti”, tha ai.

Në anën tjetër, përfaqësues të VV-së e të komunës, kanë mospajtime. Dikush thotë se Ministria i ka transferuar mjetet, Komuna e mohon.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se Ministria e Financave përmes Thesarit ia ka transferuar Komunës së Prishtinës 28 milionë eurot nga të hyra vetanake të komunës për të cilat u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme të enjten

“Ministria e Financave e ka kryer punën, Thesari i ka transferuar mjetet. Nesër mundet komuna e Prishtinës t’i shfrytëzojë”, ka thënë Sveçla për Kohën.

Ai tutje ka thënë se është e rëndësishme të shihet sesi do të përdoren këto mjete nga komuna, duke deklaruar se 25 milionë euro janë për investime kapitale.

Lexo edhe:  Gjeniu kosovar në Gjermani: Aplikoi në 37 fakultete të mjekësisë, pranohet në të gjitha

Në anën tjetër, drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, ka thënë se deri në fund të orarit të ditës së djeshme, nuk ka pasur bartje të mjeteve.

“Deri në fund të orarit nuk e kemi parë alokim të mjeteve. Ndoshta pas orës 16:00 kanë bërë alokim dhe ne si komunë deri nesër nuk mund ta dimë”, ka thënë ajo.

Të enjten e 27 nëntorit përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme u është hapur rrugë bartjes së mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.

Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.