Sillen para gjykatës dy të akuzuar për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, janë sjellë para gjykatës nën akuzat për spiunazh ndaj Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj të pandehurve është ngritur aktakuzë për veprën penale të spiunazhit, në bazë të nenit 124 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Ekziston dyshimi i bazuar se secili prej të akuzuarve ka kryer veprën penale të spiunazhit, duke vepruar në kundërshtim me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Të dyshuarit ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar, ndërsa gjatë seancës, prokurori i rastit ka kërkuar që të dy të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

“Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me dënim të përshtatshëm, duke kërkuar po ashtu vazhdimin e masës së paraburgimit deri në përfundimin e procesit gjyqësor,” thuhet më tej në njoftim.

Përveç akuzës për spiunazh, Muharrem Qerimi po akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”

Lexo edhe:  Policia gjen drogë në shtëpinë e një gjilanasi, e arreston dhe ndalon për 48 orë