Agim Bahtiri cak i kërcënimit, denoncon personin që e akuzoi se e la pa “bukë të gojës”

Ish-kryetari i komunës së Mitrovicës, tash anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në degën në këtë komunë, Agim Bahtiri ia ka mësyrë sot stacionit policor në Mitrovicë, për të denoncuar një rast të kanosjes. Viktimë e rastit është vet Bahtiri, i cili ka qenë cak i kanosjes serioze nga një person.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast, të iniciuar si “kanosje” dhe një person është shpallur në kërkim policor.

Sipas informacioneve të para, Bahtiri dyshohet se është kërcënuar që disa ditë përmes telefonit, nga një person, i cili po pretendon se Bahtiri “e ka lënë pa bukën e gojës”, me veprimet e tij.

Në mesazhet kërcënuese që ka pranuar, Bahtiri është parlajmëruar nga i dyshuari se do ta pësojë keq për shkak se sipas tij i njëjti kishte planifikuar ta vrasë.

Këto dhe dëshmi të tjera, Bahtiri i ka dërguar në Polici me rastin e denoncimit, që do të përdoren si prova gjatë procesit të hetimit që do të zhvillohet nga Prokuroria.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarit, i cili akoma nuk është kapur dhe pasi të sigurohet prezenca e tij, do të ndërmerrn veprimet e tjera hetimore.

Sinjali e ka kontaktuar edhë Bahtirin, por i njëjti nuk ka dhënë shumë detaje, duke thënë se këtë punë ia ka lënë Policisë.

Lexo edhe:  Sulmohet drejtori i shkollës fillore në Gadime të Lipjanit pasi dyshohet se e rrahu një nxënës