Lajm i hidhur: Humb jetën në aksident trafiku 22-vjeçari Muhamed Kabashi
Një aksident i rëndë me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën “UÇK” në Rahovec, ku ka humbur jetën i riu 22-vjeçar, Muhamed Kabashi.
Sipas të dhënave nga policia, viktima ishte duke drejtuar një motoçikletë kur është përplasur me një veturë të tipit Volkswagen Golf, shoferi i së cilës dyshohet se nuk i ka dhënë përparësi në kthesë.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në Spitalin Rajonal të Gjakovës, Kabashi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, shoferi i veturës, A. D, rreth 27-vjeçar, është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rrethanat e këtij aksidenti tragjik janë ende në vijim.

