PROVAT Prokuroria: Thaçi, Veseli e Selimi sulmuan stacionet e policisë serbe më 1997
Sipas Prokurorisë së Speciales, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi kishin sulmuar stacionet serbe të policisë në shtator të vitit 1997.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi ishin të përfshirë në sulme direkte e të koordinuara kundër stacioneve të policisë serbe në shtator të vitit 1997. Ky është pretendimi i Prokurorisë së Specializuar të Hagës i nxjerrur së fundmi gjersa kundërshton provat e nxjerrura nga dëshmitarët e mbrojtjes që mohuan rolin aktiv të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në operacione ushtarake.
Prokuroria thotë se gjatë fazës së saj kishte paraqitur dëshmi të shumta që lidhen me “sulmet e sinkronizuara ndaj stacioneve të policisë serbe në shtator 1997 dhe përfshirjen, ndër të tjerë, të Rexhep Selimit dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në to”.
“Për më tepër, faqet që ishin pranuar nëpërmjet Urdhrit të Dytë Gojor iu treguan dëshmitarit W04401 gjatë ekzaminimit të tij të drejtpërdrejtë. Pjesët që kishin të bënin me Thaçin, Selimin dhe Veselin, si dhe me përfshirjen e tyre në sulmet e shtatorit 1997, u lexuan me zë gjatë seancës, ndërsa i tërë intervistimi u paraqit si provë. Kur trupi gjykues mori vendim mbi këtë çështje, edhe pse nuk i pranoi në mënyrë specifike dy faqet në fjalë, ai u shpreh i bindur se ‘pjesët e intervistave që iu parashtruan dëshmitarit [W04401] janë të rëndësishme, në dukje autentike dhe me vlerë provuese, dhe për rrjedhojë i plotësojnë kërkesat e Rregullës 138(1) për pranueshmëri’”, thuhet në parashtresën e organit të akuzës.
DOKUMENT:

Në të njëjtin paragraf, Prokuroria përmend edhe përfshirjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke iu referuar dokumenteve dhe intervistave të pranuara në proces që, sipas saj, tregojnë për koordinim dhe rol aktiv të tyre në furnizimin me armë dhe logjistikë për këto operacione.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, dy faqe shtesë të një dokumenti të pranuar më herët (P01883) dëshmojnë se Thaçi kishte marrë pjesë në sigurimin e armatimit dhe logjistikës për UÇK-në që në vitin 1997 – periudhë kur, sipas disa dëshmitarëve të mbrojtjes, ai pretendohej të mos kishte rol ushtarak.
“Dy faqet shtesë tregojnë qartë përfshirjen aktive të Thaçit në furnizimin me armë dhe logjistikë të UÇK-së në vitin 1997”, thuhet në shkresë, duke e cilësuar këtë si një provë të drejtpërdrejtë që kundërshton versionin e mbrojtjes.
Ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë kundërshtuar pranimin e këtyre materialeve, duke pretenduar se Prokuroria ka përfituar padrejtësisht nga faza e mbrojtjes për të futur prova të reja që cenojnë parimin e barazisë së palëve.
Ata kanë argumentuar se këto dokumente përmbajnë akuza të reja që nuk ishin pjesë e provave të pranuara gjatë fazës së akuzës dhe se përfshirja e tyre “rrezikon të paragjykojë mbrojtjen e të akuzuarve që nuk kanë paraqitur ende rastin e tyre”.

