Gjykata e dënon me 30 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen e 25-vjeçarit në Viti

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B. R., për kryerjen e dy veprave penale; vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Me datë 13.07.2021, rreth orës 11:00, në rrugën “Kemal Azizi” në Komunën e Vitisë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. R. nga Vitia. Pas një konflikti fizik në mes pandehurit dhe dy viktimave A. R. dhe B. B., të njëjtit janë takuar përsëri përball Shkollës “Hoxhë Jonuzi” në Viti, ku dy viktimat kanë ndal veturën e tyre, me shkopinj druri në duar, me qëllim që prapë të konfrontoheshin fizikisht me tani të pandehurin B. R., i cili në atë moment del nga vetura e tij dhe me armë zjarri – pistoletë të prodhimit Tisas Zig 14, gjuan nëntë herë në drejtim të tyre, me ç’rast i ndjeri A. R. nuk u mbijeton plagëve dhe ndërron jetë, ndërsa viktima B. B. mbetet i plagosur dhe dërgohet për kurim mjekësor në Spitalin e Gjilanit, ku më pas transferohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale; vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Trupi gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka shqiptuar dënim ndaj të akuzuarit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) vjet burgim.

Të akuzuarit masa e paraburgimit i vazhdohet derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, ashtu që koha e kaluar në paraburgim prej 13.07.2021, derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Lexo edhe:  Kurti nderon me medalje 39 pjesëtarët e FSK-së që ishin në mision në Turqi

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.