Vjosa Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit: Vuçiq tentoi të prishte takimin me ofendime dhe arrogancë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një paraqitjeje për media në Samitin e Brdo-Brijunit të mbajtur në Durrës, u shpreh se, përkundër reformave të ndërmarra, Kosova vazhdon të mbetet nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se asnjë nga shtetet anëtare të BE-së nuk ka dhënë një arsye pse këto sanksione janë ende në fuqi, edhe pse kushtet e vendosura me marrëveshjen e Bratislavës janë përmbushur.

Osmani tha se aplikacioni për anëtarësim është dorëzuar që në vitin 2022, por për shkak të disa shteteve anëtare, ende nuk është mandatuar Komisioni Evropian për të trajtuar çështjen e statusit të kandidatit të Kosovës. Ajo theksoi se kjo tregon se procesi nuk është i bazuar në merita, por ndikohet nga zhvillime politike dhe konsiderata të brendshme të vendeve anëtare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Linjëzimi 100% me politikën e jashtme dhe sigurisë me BE. Fatkeqësisht përkundër këtyre reformave, Kosova akoma mbetet nën sanksionet e BE për të cilat askush nga shtetet anëtare nuk është i gatshëm të japë arsye pse janë ende në fuqi edhe pse kushtet e vendosura në marrëveshjen e Batisllavës është plotësuar dhe pse aplikacioni ynë për anëtarësim është dorëzuar që në 2022. Deri tani për shkak të disa shteteve anëtare nuk është mandatuar Komisioni Evropian për t’u marrë me çështjen e statusit kandidat për Kosovën. Kjo na sjell te konkluzioni se procesi nuk është i bazuar në merita, por ka zhvillime politike që shtetet anëtare ndonjëherë i marrin parasysh për të përkrahur një shtet apo jo. Po të ishte i bazuar në merita, Kosova si reformatorja numër 1 jo vetëm në këtë rajon, do ecte shumë përpara dhe do ishim shumë afër anëtarësimit. Zhvillimet politike në disa shtetet anëtare po e bllokojnë këtë”, deklaroi Osmani.

Lexo edhe:  Pamje të tmerrshme nga aksidenti në Mitrovicë, trupi i një personi mbetet në dritaren e veturës

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Kroacisë dhe Sllovenisë për të qenë zëri i Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian dhe për të shtuar përkrahjen e tyre.

Ajo u ndal edhe te qëndrimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë samitit, duke theksuar se si në takime të mëparshme të Brdo-Brijunit, edhe këtë herë Vuçiq iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me tentime për ta prishur takimin. Megjithatë, Osmani tha se, pavarësisht kësaj, u arrit miratimi i deklaratës së përbashkët me unanimitet.

“Vuçiqi i Serbisë ju drejtua samiti me ofendime dhe arrogancë me tentimin të prishte takimin, por arritëm të miratojmë deklaratën e përbashkët me uninimitet. Për çdo propagandë që Vuçit synonte të prezantonte para pjesëmarrëse, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, në anën së drejtës dhe që janë mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal dhe do mbrojmë interesin tonë shtetëror, integritetin dhe sovranitetin tonë”, tha Osmani.

Në fund, ajo theksoi se Kosova është pro bashkëpunimit rajonal, por njëkohësisht do të vazhdojë të mbrojë interesin shtetëror, sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por në të njëjtën kohë do ta mbrojmë interesin tonë shtetëror, sovranitetin, integritetin tonë territorial edhe pse Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë për marrëveshjen e përbashkët. Kosovë-Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes, ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka qëllim mbrojtën tonë. Dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb, ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar e as pushtuar askënd mirëpo gjithnjë e kemi mbrojtur dhe do ta mbrojmë vetën dhe integritetin territorial.”, tha Osmani.

Lexo edhe:  Përurohet obelisku gjigant me shkronjat e arta ‘UÇK’ në Prizren