Polonia ngre avionët pas sulmeve ruse pranë kufirit: Dy të vrarë në Lviv

Polonia ka ngritur avionët e saj ushtarakë dhe ka vënë në gatishmëri të plotë sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore, pas një vale të re sulmesh nga Rusia ndaj Ukrainës, përfshirë rajonin e Lvivit, i cili ndodhet afër kufirit polak.

Sulmet përfshinë dronë dhe raketa dhe lanë të paktën dy persona të vrarë, raportojnë autoritetet ukrainase.

“Avionët polakë dhe ata aleatë po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe të zbulimit me radar janë vënë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë,” njoftoi Komanda Operacionale e Polonisë përmes një postimi në platformën X, raporton France24.

Kryetari i Lvivit, Andriy Sadovyi, deklaroi se mbrojtja ajrore e qytetit ka qenë “fuqishëm e angazhuar” për të zmbrapsur fillimisht një sulm me dronë dhe më pas një tjetër me raketa ruse.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) u ka bërë thirrje të dyja palëve, Rusisë dhe Ukrainës, që të tregojnë “vullnet politik” për të siguruar zonën përreth centralit bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, që ndodhet nën kontrollin rus që nga fillimi i pushtimit.

Siç shkruan France24, Rusia ende nuk ka komentuar për sulmet e natës mes së premtes dhe së shtunës.

Lexo edhe:  Kurti përmend Thaçin: Po të mos ishte letra e tij, ushtria e Kosovës sot do të ishte në veri