I vihet zjarri një xhamie në Britani me njerëz brenda, rasti hetohet si krim urrejtjeje

Një xhami në jug të Anglisë është përfshirë nga flakët pas një sulmi të dyshuar zjarrvënieje, të cilin policia britanike po e trajton si krim urrejtjeje. Ngjarja ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në qytetin Peacehaven, pranë Brighton, dhe për fat të mirë, dy personat që ndodheshin brenda arritën të shpëtonin pa lëndime.

Sipas raportimit të CNN, dy persona të maskuar tentuan të hapnin derën e xhamisë me forcë dhe më pas derdhën benzinë në shkallë, duke i vënë flakën. Ngjarja ndodhi pak para orës 22:00, kur në xhami ndodheshin imami dhe një bashkëbesimtar, të dy rreth të 60-ave, të cilët po pinin çaj pas përfundimit të lutjeve të mbrëmjes.

“Mund të kishin vdekur lehtësisht”, deklaroi për CNN një menaxher vullnetar i xhamisë, i cili kërkoi të mbetet anonim. “Këta njerëz erdhën me qëllim të plotë për të shkaktuar dëme maksimale.”

“Mjedisi i zakonshëm i xhamisë është shumë miqësor dhe i relaksuar”, shtoi ai, duke përshkruar se si dy burrat e moshuar kishin qëndruar pas lutjes për një filxhan çaj, një zakon i përditshëm.

Për momentin, nuk dihet nëse autorët ishin në dijeni se kishte njerëz brenda ndërtesës në kohën e sulmit.

“Kryetari dridhej gjatë gjithë kohës dhe një fqinj doli në rrugë duke qarë. Të gjithë janë të frikësuar. Nëse dikush ishte i gatshëm ta bënte këtë, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, deklaroi më tej menaxheri për CNN.

Xhamia, e hapur para katër vjetësh, u shërben një komuniteti të vogël prej rreth 10 deri në 15 besimtarësh. Policia ka nisur hetimet dhe po trajton rastin si një krim urrejtjeje, ndërsa rasti vjen në një kohë kur tensionet në Britani janë rritur ndjeshëm, me incidente të shumta islamofobe dhe antisemite të raportuara gjatë muajve të fundit.

Lexo edhe:  Vdekja e doktorit të ri kosovar në Zvicër, arrestohet plaku zvicëran që dyshohet se e shkeli me veturë dhe iku