Me lejen e Faton Pecit, u shit peshku me krimba për qytetarët – Mehmetaj shpalos skandalin
Gazetari i VOX Kosova, Lirim Mehmetaj, ka raportuar për një skandal të përmasave të mëdha korruptive, ku – sipas hulumtimeve të këtij mediumi – rezulton se në tregun kosovar prej vitesh është shitur peshk i ngrirë i kontaminuar me krimba dhe parazitë. Kjo, siç raporton Mehmetaj, ka ndodhur pavarësisht se autoritetet kompetente kishin konstatuar infektimin dhe fillimisht kishin marrë vendim për asgjësim
Sipas Mehmetajt, dosje voluminoze dokumentesh tregojnë se vendimet janë modifikuar ose anashkaluar, ndërsa produkti ka vijuar të shitet “tash e sa vjet”.
“Prej vitesh, qytetarët e Republikës së Kosovës hanë krimba dhe parazitë të llojeve të ndryshme sa herë blejnë peshk të ngrirë nëpër marketet e Kosovës. Kjo ndodh me lejen e institucioneve të Kosovës – më saktësisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe Ministrisë së Bujqësisë. Në një dosje të madhe e voluminoze që ka siguruar VOX Kosova, do të kuptoni se si peshku i infektuar me krimba, që fillimisht u vendos të asgjësohej, nuk u largua fare nga tregu. Madje, vazhdoi të shitet rregullisht tash e sa vjet.
Në dokumentacionin e siguruar nga VOX-i, do të shihni se si Ministri Faton Peci dhe Agjencia e Ushqimit që operon në Ministrinë e tij, përkundër se vetë e konstatuan peshkun e krimbosur, përkundër se vetë morën vendim për asgjësim, përkundër se fituan edhe rastin në Gjykatën Komerciale më pas, të diktuar nga interesa që mbetet t’i hetojë Prokuroria, dolën me një njoftim absurd ku thuhej se ‘Përkundër se shteti në Kosovë po shitet me krimba, vazhdoni ta hani’.” – tha Mehmetaj ndër të tjera.