“Era m**”, biseda në Viber për Dimal Bashën që çoi në suspendimin e 4 policëve specialë

Katër policët e Njësisë Speciale të Kosovës, Sami Hoti, Sedat Ramadani, Albert Kuqi, Artan Krasniqi u suspenduan para pak ditësh vetëm e vetëm se bënë shaka në një grup privat me zgjedhjen e Dimal Bashës si Kryetar Kuvendi.

VOX Kosova ka siguruar me fotografi bisedën që është zhvilluar brenda këtij grupi shoqëror në Viber, e cila pavarësisht natyrës miqësore ka arritur deri tek eprorët e policëve dhe deri tek akterët e pushtetit që nxitën suspendimin e katërshes.

“Era sovranitet”, është mesazhi i parë i dërguar në bisedë nga njëri polic.

“Era M**”, ia kthen kolegu i tij, Sedat Ramadani – i cili e komenton fotografinë e zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit e cila dërgohet në grup.

Ndaj këtij mesazhi reagon rreshteri Sami Hoti.

“Urime të gjithë besimtarëve të VV”, vazhdon bisedën zyrtari tjetër policor Albert Kuqi.

Sedat Ramadani i përgjigjet me pyetjen “Ky Dimali çfarë përkatësie etnike i përket?”.

Biseda mes policëve më pas vazhdon normalisht, por me nuanca shakaje nga tema e Bashës.

Sërish Sedat Ramadani, tash i drejtohet kolegut Faton Veselaj, “thuaj faleminderit Bacit Albert”, pra policit Albert Kuqi, në lidhje me fjalinë e tij paraprake “urime të gjithë besimtarëve të VV-së”.

E Veselaj ia kthen me fjalët “edhe ti me temperaturë pom doket koke”.

Gjersa Sedat Ramadani i përgjigjet “valla nxet”.

Pra kjo është krejt përmbajtja, që i mjaftoi eprorëve të këtyre specialëve, që me urdhër të pushtetit t’i ndëshkojnë duke i suspenduar nga puna.

Nëse s’do të ishte për reagimin publik medial, kushedi se cili do të ishte fati i tyre. Por pasi që ky zhvillim mori kritikën e merituar, policët u kthyen në punë.

Lexo edhe:  Konfiskim veture, gjobë 500 euro dhe ndalim vozitje për 6 muaj ndaj një shoferi në Mitrovicë