Grabitje me sprej në Fushë Kosovë – 4 të rinjtë e armatosur arrestohen, viktimës i morën 8 mijë euro
Një grabitje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, afër lokalit “Rrota”, ku katër persona të armatosur dyshohet se sulmuan dhe grabitën një qytetar.
Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 01:00, A. H. rreth 34-vjeçar është sulmuar fizikisht nga katër të dyshuarit D.R. rreth 21-vjeçar, E. S. rreth 24-vjeçar, R. B. rreth 25-vjeçar dhe F. Sh. rreth 21-vjeçar, të cilët ia morën çantën e krahut. Në momentin e sulmit, njëri prej tyre i ka spërkatur fytyrën me sprej irritues, duke e neutralizuar.
Viktima ka deklaruar para policisë se në çantë kishte nga 7 deri 8 mijë euro. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë, duke ndërmarrë veprime intensive operative dhe hetimore, që rezultuan me arrestimin e katër të dyshuarve.
Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit u gjetën rreth 2750 euro, që dyshohet të jenë një pjesë e shumës së grabitur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.