Sulmohen dy policë gjatë një ndërhyrjeje në Viti – njëri nga të dyshuarit në arrati

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Drobesh të Vitisë, ku një patrullë policore është përballur me rezistencë fizike dhe sulm të drejtpërdrejtë gjatë një ndërhyrjeje operative.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 20:00, më 1 gusht 2025, zyrtarët policorë janë përballur me dhunë nga tre persona të dyshuar: Xhemajl Idrizi, rreth 54-vjeçar, Enit Idrizi, rreth 18-vjeçar dhe Amir Idrizi, rreth 23-vjeçar.

Sipas informacioneve, gjatë tentimit për të arrestuar personat e përfshirë, njëri nga zyrtarët policorë është sulmuar me grusht në kokë nga i dyshuari Amir Idrizi, i cili aktualisht është në arrati. Ndërkohë, zyrtari tjetër policor ka pësuar lëndime gjatë përpjekjes për të stabilizuar situatën.

Dy të dyshuarit e tjerë janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa njësitë e hetimeve rajonale janë angazhuar për zbardhjen e plotë të rastit dhe lokalizimin e personit të arratisur.

Më datë 2 gusht 2025, njëri nga të dyshuarit është intervistuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, dhe me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masë ndalimi prej 48 orësh.

Ndaj të dyshuarve pritet të ngritet kallëzim penal, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.

Lexo edhe:  Hajnat bëjnë qyl shtëpinë e mërgimtarit Nazmi Viqa në Ferizaj, vjedhin 40 mijë euro cash dhe ari në vlerë të 25 mijë €