Fëmijët në Pejë detyrohen të kërkojnë lëmoshë, arrestohet te ETC-ja nëna 22-vjeçare
Keqpërdorimi i fëmijëve me qëllim të përfitimit financiar për prindërit është një dukuri shqetësuese në Kosovë. Janë të shpeshta rastet kur prindërit detyrojnë fëmijët e tyre të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e qyteteve të vendit.
Një rast i tillë është zbuluar edhe sot te ETC 2 në Pejë, ku një grua është ndaluar nga Njësiti i Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, e cila dyshohet se ka keqpërdorur fëmijën e saj, të cilin e ka shfrytëzuar për të kërkuar lëmoshë.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për një 20-vjeçare, e cila përveç fëmijës së vet 3-vjeçar, dyshohet se ka keqtrajtuar edhe fëmijën e një familjari.
Sinjali mëson se pas arrestimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas me urdhër të prokurorit, ndaj saj është iniciuar rasti për veprat ‘Keqtrajtim apo braktisja e fëmijës’.
Ndryshe, fëmijët, në veçanti, por edhe të rriturit, të cilët kërkojnë lëmoshë, nuk janë vetëm shtetas të Kosovës, por shpesh është raportuar edhe për shtetas të Shqipërisë.