36-vjeçari bie në prangat e policisë në Pejë – kapet me drogë, armë dhe para të gatshme

Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës zhvillon aksione për goditjen e rrjeteve kriminale që merren me shpërndarjen e drogës dhe mbajtjen e armëve pa leje. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Pejë, ku një 36-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë gjatë një bastisjeje, me ç’rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme narkotikësh dhe armë zjarri.

Sinjali mëson se gjatë aksionit të zhvilluar nga njësitet e antidrogës në Pejë dhe Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, autoritetet kanë sekuestruar: 2,788.8 gram marihuanë, dy pistoleta, makineri për presim dhe qese plastike, 1,010 euro para të gatshme, peshore digjitale dhe telefon iPhone 15 Pro.

I dyshuari e ka pranuar pronësinë e të gjitha dëshmive të sekuestruara dhe me urdhër të prokurores, është ndaluar për 48 orë.

Hetimet ndaj tij po vazhdojnë për trafikim narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje.

Lexo edhe:  Fushë-Kosovë: Vajza raporton se është rrahur nga i dashuri, i dyshuari gjendet jashtë shtetit