E konfirmon Policia: Punëtori në Skënderaj vdiq në vendin e punës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së martës në qytetin e Skënderajt, ku një punëtor 44-vjeçar ka humbur jetën në vendin e punës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 16:00, është raportuar se një person ishte gjetur i shtrirë pa shenja jete në rrugën “17 Shkurti” në Skënderaj, shkruan “Jepi zë”.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor emergjent, i cili ka konstatuar vdekjen e punëtorit.
Hetues të Njësisë Rajonale, njësia e krim-teknikës dhe inspektorët e punës kanë kryer ekzaminimet e para dhe procedurat ligjore të nevojshme në vendngjarje.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”.
Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti tragjik.