Vajza e mitur që ishte shpallur e zhdukur gjendet në banesë me dy të rritur – Dyshime për dhunim, nisin hetimet

Një ngjarje alarmante është zbuluar mbrëmë në Fushë Kosovë, ku një vajzë e mitur e shpallur e zhdukur që nga data 4 korrik është gjetur në një banesë bashkë me dy persona të moshës madhore, në rrethana që po hetohen si dyshim për dhunim.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se më 12 korrik 2025, rreth orës 21:00, në stacionin policor në Fushë Kosovë është paraqitur R. Sh. (1988), i cili ka raportuar se ka gjetur vajzën e tij 15-vjeçare, B.Sh. (2010), në një banesë në rrugën “Besa Besë”, në kompleksin BB-Home, së bashku me A. P. (2004) dhe G.K. (2005).

Sipas informacioneve, njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë, duke shoqëruar të dyshuarit dhe të miturën në Stacionin Policor, ku gjatë intervistimit, të tre kanë mohuar kategorikisht se kanë pasur ndonjë marrëdhënie seksuale dhe kanë deklaruar se kanë qëndruar në banesë vetëm për një ditë.

Për hetimin e rastit është angazhuar edhe njësia e hetimeve rajonale, ndërsa me vendim të Prokurores kujdestare për të mitur, është caktuar që më 13 korrik 2025 të bëhet ekzaminimi mjeko-ligjor i viktimës në IML.

Nga Forenzika janë sekuestruar dy mostra biologjike dhe tre telefona celularë si prova materiale, thonë burimet e Sinjalit.

Rasti është iniciuar si “Dhunim”, ndërsa me vendim të Prokurorisë, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Më 2017 punonte në ndërtimtari, ndërsa tani ftohet nga Kroacia për në Euro 2024 – historia frymëzuese e sulmuesit kroat