Mbi 8,300 autobusë nga Kosova drejt Evropës, eksodi i heshtur vazhdon

Nga 1 janari 2024, kur Bashkimi Evropian ka hequr vizat për kosovarët, e deri në muajin prill të këtij viti, mijëra autobusë të mbushur me udhëtarë janë nisur nga Stacioni Autobusëve në Prishtinë për në shtete të ndryshme të BE-së.

Përpos me autobusë, dhjetëra mijëra kosovarë kanë udhëtuar sivjet drejt Evropës edhe me aeroplanë nga Aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë, si dhe me vetura private.

Nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë (SAP) bëjnë të ditur për “Front Online” se mbi 8 mijë e 300 nisje janë regjistruar gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

“Gjatë periudhës Janar–Prill 2025, nga Stacioni i Autobusëve janë regjistruar gjithsej 8,392 nisje drejt destinacioneve evropiane”, thuhet në përgjigjen e Stacionit të Autobusëve për “Front Online”.

Nga SAP kanë treguar se 171 nisje më shumë janë regjistruar këtë vit duke krahasuar muajt e parë të vitit të kaluar.

“Për të njëjtën periudhë të vitit janë regjistruar 8,221 nisje, që nënkupton një rritje prej 171 nisjesh në vitin 2025”, thuhet në përgjigjen e SAP për “Front Online”.

Edhe aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” po shënon rritje të jashtëzakonshme të fluturimeve ajrore dhe pasagjerëve.

Kjo konfirmohet edhe nga statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), sipas së cilës, vetëm në shkurt të këtij viti janë regjistruar 944 fluturime me aeroplanë dhe mbi 307 mijë udhëtarë në shkuarje dhe në ardhje.

Krahasuar me shkurtin e vitit 2024, po ashtu, sipas ASK-së, ka pasur rritje të madhe të fluturimeve në shkurtin e këtij viti.

“Në shkurt 2024 Aeroporti regjistroi 796 fluturime me 265,421 udhëtarë”, ka bërë të ditur ASK-së, raporton Front Online.

Rritje të numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve janë regjistruar në vazhdimësi gjatë këtij viti.

Lexo edhe:  ​”Jemi të pa lexum, të pashkolluar”, qytetarët tregojnë pse është ‘tabu’ të shkohet te psikologu

Aeroporti “Adem Jashari” ka hyrë në vitin 2025 me një rritje prej 18.6% në numrin e fluturimeve dhe mbi 15% më shumë udhëtarë vetëm në muajin shkurt, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Por përtej kësaj rritjeje, destinacionet e udhëtimeve tregojnë një narrativë shumë më të thellë mes lidhjes së pandërprerë me diasporën.

Sipas të dhënave të vitit 2024, mbi 71% e të gjitha udhëtimeve ajrore nga Aeroporti i Prishtinës kanë pasur destinacion vetëm dy shtete, Gjermaninë (36.34%) dhe Zvicrën (35.16%).

Turqia, me 12.05%, ndjek në vendin e tretë, pjesa tjetër shpërndahet ndër vendet si Austria, Britania, Italia dhe Suedia, të gjitha me përqindje më të ulëta.