Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për Agim Rexhepin: Dyshohet për trafik droge dhe pastrim parash

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Agim Rexhepit, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Qielli i thyer”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit zyrtar të PSRK-së, Rexhepi dyshohet për përfshirje në veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, të lidhura me veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjithashtu, ai po hetohet edhe për veprën penale “Shpërlarja e parave”, e cila lidhet me trafikimin e narkotikëve dhe përpjekjen për të legalizuar përfitimet e paligjshme.

Prokuroria thekson se Rexhepi dyshohet se ka tentuar të tjetësojë prona të dyshuara si pasuri të përfituara nga veprimtaria kriminale, me qëllim shmangien e konfiskimit të mundshëm në të ardhmen.

Rasti është pjesë e hetimeve të gjera kundër krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve.

Lexo edhe:  Tentim vrasje në Gjakovë: Theret me thikë disa herë një i mitur, të dyshuarit arratisen