48-vjeçari gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij
Një 48-vjeçar është gjetur pa shenja jete të mërkurën në shtëpinë e tij në fshatin Vërboc të komunës së Kllokotit.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Sipas tij, disa familjarë kanë deklaruar se personi ka jetuar i vetëm dhe kishte probleme shëndetësore.
“Njesitë policore, së bashku me ekipin mjekësor, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se personi, mashkull kosovar i lindur në vitin 1977, ishte pa shenja jete,” ka deklaruar Osmani.
Ai shtoi se gjatë hetimeve preliminare, të zhvilluara në vendin e ngjarjes nga hetuesit policorë në praninë e mjekësisë ligjore, nuk janë vërejtur shenja dhune apo lëndime në trupin e të ndjerit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Sipas Osmanit, hetuesit nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, po vazhdojnë procedurat hetimore për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.