Irani mbeti pa udhëheqje ushtarake dhe bërthamore, këta janë njerëzit që Izraeli i ‘shfarosi’ brenda natës

Mohammad Bagheri ishte një gjeneral iranian dhe shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës Islamike.

Ai ishte oficeri me gradën më të lartë në vend.

Bagheri ishte një figurë kyçe në udhëheqjen ushtarake të Iranit dhe ishte përgjegjës për planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve të inteligjencës dhe sigurisë të Republikës Islamike.

Konkretisht, ai u specializua në këtë fushë në kohën kur shërbente në Luftën Iran-Irak në vitet 1980.

Për shkak të rolit të tij në shtypjen e protestave iraniane, ai ishte nën sanksione ndërkombëtare nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar.

I lindur në vitin 1960, ai e filloi karrierën e tij ushtarake si anëtar i Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane. Kishte një doktoraturë në gjeografi politike dhe jepte mësim në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes së Iranit.

Duke pasur parasysh gradën e tij në udhëheqjen ushtarake iraniane, vrasja e tij i dha një goditje të madhe strategjike Republikës Islamike, veçanërisht pasi edhe anëtarë të tjerë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm u vranë në të njëjtin sulm, duke destabilizuar më tej strukturën komanduese të regjimit.

Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane është një nga institucionet kryesore të pushtetit; janë ata që kontrollojnë arsenalin e raketave balistike të Iranit.

Viktima e dytë është Gjenerali Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, i cili shërbeu si ndërmjetës me Hezbollahun e Libanit. Salami gjithashtu u ngrit në detyrë gjatë luftës Iran-Irak dhe u vendos nën sanksione ndërkombëtare dhe të SHBA-së që nga fillimi i viteve 2000 për rolin e tij në programet bërthamore dhe ushtarake të Republikës Islamike.

“Sionistët mendojnë se mund ta luftojnë Iranin me të njëjtat taktika që luftojnë palestinezët e pambrojtur, por ne kemi përvojë në luftë”, tha Salami vetëm disa orë para se izraelitët ta likuidonin.

Lexo edhe:  Ylli barazon gjithçka ndaj Trepçës, titulli vendoset në ‘Minatori’

Viktima e tretë është Fereydon Abbasi, një shkencëtar bërthamor iranian dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit; organi përgjegjës për menaxhimin e objekteve bërthamore të Iranit dhe programin e pasurimit të uraniumit.

Abbasi ishte një figurë kyçe në zhvillimin e programit bërthamor të Iranit, i cili veçse i kishte mbijetuar me sukses një atentati në vitin 2010 në Teheran.

Sky News raporton se gjithsej gjashtë shkencëtarë bërthamorë iranianë u vranë në sulmet ajrore izraelite, duke cituar mediat shtetërore iraniane.

Përveç Salamit dhe Abbasit, vdiqën edhe fizikani Dr. Mohammed Mehdi Tehranchi dhe gjeneralmajori Gholam Ali Rashid.