Babë e bijë nga Kosova hyjnë në “Guinness” si më të shpejtit që kanë ngjitur 7 majat më të larta të botës
Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës ka bërë të ditur se Mrika dhe Arianit Nikçi janë përfshirë zyrtarisht në Librin e Rekordeve “Guinness”, si babë e bijë që në kohën më të shkurtër kanë ngjitur shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës, të njohura si “Seven Summits”.
Në njoftimin e federatës thuhet se kjo sfidë u realizua nga data 25 janar 2018 deri më 15 gusht 2019.
Sipas njoftimit, dyshja shqiptare arritën të përmbyllin këtë mision duke ngjitur majat më të larta të secilit kontinent: Everest, Aconcagua, Denali, Kilimanjaro, Elbrus, Carstensz Pyramid dhe Vinson Massif.
Federata e cilëson këtë si një moment të veçantë për Kosovën dhe shqiptarët, duke e vlerësuar si arritjen e parë të këtij lloji që fut emrin e vendit në Librin e Rekordeve Guinness në një disiplinë të tillë sportive.