Rryma më shtrenjtë se në Gjermani, Palushi: Nga 19 kompani vetëm KESCO na ka ofruar ofertë

Bizneset e mëdha në Kosovë, sidomos ato prodhuese, kanë shprehur shqetësimin se ofertat e pranuara për furnizim me energji elektrike pas një qershorit do të rrisin koston operative në mënyrë të papërballueshme. Nga fillimi i qershorit, kompanitë me mbi pesëdhjetë punëtorë ose me qarkullim mbi dhjetë milionë euro do të detyrohen të zgjedhin furnizuesin e energjisë elektrike.

Një shembull alarmues për këtë ka dhënë një kompani prodhuese në Kosovë.

Ndërsa bizneset e mëdha në Gjermani paguajnë energjinë me rreth 200 euro për megavat dhe ato në rajon rreth 100 euro, kompanitë në Kosovë përballen me oferta që shkojnë deri në 260 euro. Pra dyshfishi i atyre në rajon. E gjithë kjo si pasojë e vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për tregun e hapur të energjisë elektrike. Kështu, thotë pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi.

Palushi në një deklaratë për KosovaPress paralajmëron për pasoja të menjëhershme në stabilitetin financiar të bizneseve. Ai thekson se oferta e vetme që kanë pranuar deri më tani vjen nga KESCO, dhe se kjo ofertë paraqet një rritje mbi 200 për qind të çmimit të energjisë.

Ndërsa ai thotë se tek kompania tij, impakti do të jetë gati 1 milion euro, duke krahasuar me vitin e kaluar që kanë paguar 430 mijë euro.

“Vendimi është mjaft shqetësues, sepse çmimi dhe oferta e vetme që na ka ardhë deri tani nga KESCO është jashtë zakonisht e lartë. Përkatësisht mbi 200 për qind dhe kjo i atakon të gjitha bizneset, por në veçanti ato prodhuese, dhe me mundësi që disa nga bizneset të cilat qëndrojnë ndoshta financiarisht më brishtë mund edhe të rrezikojë deri tek zvogëlimi i numrit të punësuarave apo ndoshta edhe deri tek mbyllja. Konkretisht tek kompania jonë, impakti do tëjetë gati 1 milionë, përkatësisht fatura. Nëse bazohemi nga viti i kaluar kemi paguar 430 mijë euro, kurse nga oferta e re, do duhet të paguajmë 1 milion e 350 mijë euro. Kjo kompaninë tonë, meqenëse kemi gati 60 për qind të sasisë së prodhuar e eksportojmë, nuk e rrezikon ekzistencën e kompanisë, por është e sigurt se do të zvogëlojë rritjen tonë dhe investimet të cilat i parashohim gjatë viteve në vijim. Kjo sigurisht, me këtë  e bënë që në planin afatgjatë të reduktohet, përkatësisht rritja e të punësuarave në të ardhmën mund të jetë më e kufizuar”, thotë Palushi.

Lexo edhe:  Shqiptari rrah dhe bën për spital dy policë italianë

Biznesmeni Palushi kritikon mungesën e operatorëve të tjerë në tregun e lirë dhe faktin që shumica e kompanive të kontaktuara nuk kanë dhënë përgjigje apo kanë refuzuar të ofrojnë furnizim. Ai thekson se vetëm KESCO ka dalë me ofertë konkrete, ndërsa operatorët si KEK dhe Sharr Cem nuk kanë mundësi të furnizojnë kompani të tjera përveç nevojave të tyre.

Ai ka numëruar disa nga rastet negative në kompani si rrjedhojë e këtij vendimi të ZRRE-së.

Palushi nuk përjashton mundësinë të rrisin çmimin e eksportit, dhe siç thotë ai, çdo rritje e kostos së prodhimit, që në rastin tonë nga tre për qind shkon në pesë për qind, është edhe zvogëlim i profitit të kompanisë.

Ai shprehet i zhgënjyer edhe me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, duke e quajtur të papritur dhe me njoftim të vonuar, pa lënë kohë për përshtatje ose investime në alternativa energjetike. Ndërsa kërkon nga ZRRE të shtyjë vendimin të paktën edhe një vit në mënyrë që bizneset të përgaditen.

Ndryshe, ky vendim ka ngjall reagime e kundërshtime nga bizneset tjera vendore.

Komuniteti i biznesit dhe disa parti politike kërkojnë shtyrjen e kërkesës së ZRRE-së për treg të hapur energjetik.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka paralajmëruar se do të nisë betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë, pasi siç thuhet është marrë pa një analizë të mirëfilltë dhe pa asnjë konsultim me palët e interesit, raporton KosovaPress./Kosovapress