Ky është 38-vjeçari i dyshuar për dhunimin e të miturës në Kllokot, dyshohet se abuzoi me të disa herë

Sot u raportua për një rast të dhunimit që dyshohet se ka ndodhur në Kllokot, ku viktimë është një e mitur, e cila dyshohet se është keqtrajtuar së paku dy herë nga një 38-vjeçar. Zbulimi i rastit erdhi pas denoncimit të vëllait të viktimës që rezultoi me arrestimin e të dyshuarit dhe ndalimin e tij. Sinjali publikoi sot detajet e rastit, teksa tashmë ka mësuar identitetin e të dyshuarit.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari është Arben Sh. Ahmeti, 38-vjeçar, i cili dyshohet se e ka dhunuar vajzën e mitur në fshatin Vërbovc të Kllokotit, para se ajo t’i mbushte 16-vjeç.

Ky rast tronditës u zbulua nga vëllai i viktimës, i cili u detyrua të njoftojë Policinë se motra e tij dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga personi me të cilin ishte në lidhje dashurie.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para Prokurorit të Shtetit, i dyshuari ka abuzuar seksualisht me të gjatë vitit të kaluar, por nuk dihen detaje nëse ka pasur edhe raste të tjera, në periudha të ndryshme kohore, kur i njëjti ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

Pas arrestimit të të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të njëjtit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor, Prokuroria pritet që të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Dhuna në familje: Prizrenasi ushtron dhunë ndaj gruas për shkak të xhelozisë, ajo e çon në Polici