Dhunë në familje në Istog – gruaja largohet me pesë fëmijët pas konfliktit me burrin, kthehet pas ndërhyrjes së Policisë

Më 13 maj 2025, në fshatin Kovragë të Istogut, është trajtuar një rast i dhunës në familje, ku një grua së bashku me pesë fëmijët e saj të mitur është larguar nga shtëpia pas një konflikti me bashkëshortin.

Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 12:00–13:00, personi me inicialet B.F. është paraqitur në Stacionin Policor në Istog, duke njoftuar se bashkëshortja e tij Q.F. ishte larguar nga banesa me të gjithë fëmijët, pas një fjalosjeje mes tyre.

Pas raportimit, njësia policore ka arritur ta lokalizojë viktimën në një dhomë të marrë në Restorantin “Feliks”, prej nga është shoqëruar në stacion për intervistim.

Në deklaratën e saj, Q.F. ka pohuar se mes saj dhe bashkëshortit ka pasur probleme të vazhdueshme, përfshirë dhunë psikologjike të shkaktuar nga xhelozia, ndërsa dhunë fizike ka deklaruar se nuk ka pasur.

Pas bisedës me hetuesit, viktima ka pranuar të kthehet në shtëpi, ndërsa në konsultim me Prokurorin Kujdestar, rasti është inicuar si “Dhunë në familje”.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetim.

Lexo edhe:  A po bllokohet Ligji për Paga? - i kërkohet Avokatit të Popullit ta çojë në Gjykatën Kushtetuese