Dy të ndaluar për bixhoz të paligjshëm në Drenas – bastisje në një mobishop në Komoran
Një aksion i zhvilluar në orët e pasdites së djeshme nga njësitë e Hetimeve dhe Krimeve Kibernetike ka çuar në ndalimin e dy personave në Komoran të Gllogocit, nën dyshimet për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se bastisja është kryer në një biznes të identifikuar si “Mobil Shop Akili”, i vendosur në rrugën “Mentor Morina”, ku sipas hetimeve paraprake dyshohet se është zhvilluar aktivitet i ndaluar i lojërave të fatit dhe skemave mashtruese financiare.
Të ndaluarit në këtë rast janë: Arbon Brahimi, 31-vjeçar dhe Egzon Lladrovci, 21-vjeçar.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar dy telefona dhe dy SIM kartela, që dyshohet se janë përdorur për organizimin dhe komunikimin brenda rrjetit të bixhozit.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit Kujdestar, ndaj tyre është inicuar rasti për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa janë ndaluar për 48 orë.