Qytetari alarmon për rrezik shëndetësor nga restoranti “MyShawarma”: Mish i papjekur në porosi
Një qytetar ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sigurinë ushqimore në restorantin “MyShawarma” në Prishtinë, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e djeshme (04.05.2025), rreth orës 22:42, shkruan “Jepi zë”.
Sipas qytetarit, i cili ka ndarë përvojën e tij publikisht, restoranti në fjalë kishte prezantuar një shërbim të ri, por në vend se të ofronte ushqim të përgatitur, atij iu dorëzua mishi i papjekur për ta përgatitur vetë. Kjo praktikë, sipas tij, përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe është e papranueshme.

“Po na sjellin mishin të papjekur në porosi, si me qenë ne restoranti! Kjo është krejtësisht jashtë çdo standardi,” ka shkruar qytetari, duke i bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj këtij rasti dhe të shtojnë kontrollet në sektorin e gastronomisë.
Ankesa është dërguar edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), dhe mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i tyre.
Ky nuk është rasti i parë që qytetarët raportojnë për parregullsi të tilla në restorante të ndryshme, çka ngre alarmin për nevojën e inspektimeve më të shpeshta dhe më të rrepta.