E rëndë: Ky është 30-vjeçari që humbi jetën si pasojë e vetëaksidentit
Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën nacionale Prishtinë–Ferizaj, afër rrethit te KFC-ja në Llapnasell.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për një vetëaksident me pasoja fatale, ku ka humbur jetën Leonard Avdyli, rreth 30-vjeçar, i cili dyshohet se ishte në timon në momentin kur vetura ka dalë nga rruga.
Në veturë ndodhej edhe një pasagjere, Tringa Mustafa, rreth 30-vjeçare e cila ka shpëtuar me lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Automjeti i përfshirë në aksident është një Škoda, i cili për arsye ende të panjohura ka devijuar nga rruga dhe është aksidentuar rëndë.
Njësia policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesi kujdestar është duke zhvilluar ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
Ndërsa, lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 04:30,ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Prishtinë- Ferizaj, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, tha ajo.
Hetimet janë në fazë fillestare dhe autoritetet pritet të publikojnë detaje shtesë në orët në vijim.