Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare kryhet për herë të parë një operacion i rrallë
Një operacion i rrallë është kryer në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Bëhet fjalë për operacionin “Bypass aorto-bifemoral”, me graft vaskular “Dacron”, e që konsiderohet një anomali shumë e rrallë në pothuajse 0.05 për qind, shkruan Zeri.info.
Ky intervenim ka zgjatur më shumë se pesë orë, te një pacient i moshës 48-vjeçare.
“Për të arritur deri tek aorta abdominale dhe vena cava inferior e dyfishtë, preparimi ishte shumë i vështirë, për shkak të pozitës jo normale të këtyre dy enëve të mëdha të gjakut dhe obezitetit të pacientit.
Pas punës disaorëshe, mjekët realizojnë Bypassin (urëzimin) prej një pjese të shëndoshë të aortës së barkut, nën veshka, deri në dy arteriet kryesore të këmbëve (arteria femoris communis). Për këtë qëllim u përdor grafti vaskular sintetik Dacron në formë “Y” me dimensione 18/9 mm.
Për më tepër, rastet e tilla janë raportuar shumë rrallë në literaturën mjekësore.
Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 10 ditë hospitalizimi, lëshohet në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftim