Rrëfimi i Muhamet Pecit nga Vushtrria: Deshën të më vrisnin me çekiç, më rrahën për një ndeshje futbolli
Zotit ia lë meritat që i shpëtoi vdekjes pasi u rrah me çekiç. Muhamet Peci nga Vushtrria thotë që vdekjen e pa me sytë e tij kur mori goditjet në kokë me çekiç nga Shaip Osmani bashkë me të birin e tij, Riadin.
Ky thotë që Zoti e shpëtoi pasi që personit që po e rrihte, çekiçi i cili ishte mjet i punës së tij fizike që e bënte, i kishte dalë nga bishti andaj edhe jeton ende, raporton Kiks Kosova.
Qëllimi pse këta persona erdhën në lokal për ta rrahur thotë se ishte vrasja e tij.
Rasti ndodhi në 21 nëntor të 2021-ës për shkak të një mosmarrëveshje në ndeshje futbolli ku Muhameti kishte një përplasje me Riad Osmanin.
Osmani më pas shkoi në shtëpi për të marrë përforcime, siç rrëfen Peci, dhe i kishte shkuar në restorantin e tij, i cili ishte në qytetin e Vushtrrisë.
Ai mori babanë e tij Shaip Osmanin dhe dy persona tjerë, Astrit Ilazin dhe Ilir Ilazin, persona këta sipas Muhametit të përfshirë në rrahjen e tij.
Pasi u gjakos për gati alivanosje, vushtrriasi thotë se arriti të ikte nga lokali i tij duke u futur në veturën e një personi të rastit në rrugë për ta dërguar në spitalin e Vushtrrisë.
Më pas prej aty, nga lëndimet e marra u dërgua me urgjencë në QKUK në Prishtinë.
Kiks Kosova kishte raportuar për këtë rast më qershor të 2022-ës, aty Peci kishte prezantuar pamjet e plagëve të thella të tij në kokë, vesh e pjesë tjera të trupit të marra nga kjo rrahje.
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 shkurt të këtij viti mori vendim për dënimin e Shaip Osmanit, 49-vjeçar, me dy vite burgim dhe djalin e tij Riadin 28-vjeçar me 8 muaj, nën akuzën për “lëndim të lehtë trupor”.
Dy të tjerë u liruan nga aktakuza.
Por me këtë vendim nuk po pajtohet Muhameti i cili thotë se ata që i shkaktuan shumë plagë nuk u dënuan si duhet e as trupi gjykues nuk ia kategorizuan veprën drejt.
Krejt kjo ndodhi pasi që edhe ekspertiza e mjekësisë ligjore ia vlerësoi lëndën si “lëndim i lehtë trupor”, ekspertizë që Peci thotë se nuk e pa kurrë dhe e cilëson si të padrejtë, pasi ky mori lëndime të rënda trupore, pasojat e të cilës do i vuajë tërë jetën.
Gjykata, përdorimin e çekanit në rrahje nuk ia mori si të vërtetë, po sipas Pecit, ia përshkruan si goditje me shpuzore dhe shufër metalike.
Rasti i tij ky thotë që do të duhej të shërbente si shembull se si personat që kryejnë këso veprash nuk dënohen sa duhet, për pasojë thotë Peci, edhe po ka vrasje të shumta.
Duke u bazuar në vrasjet që ndodhën së fundmi në Vushtrri, Peci thotë se e ndjen të nevojshme që të kërkojë drejtësi e ta ngrit zërin kundër asaj që iu bë.
Rastin ia konsideruan me lëndime të lehta e të përkohshme por ky thotë që do e kundërshtojë në Gjykatën e Apelit ku edhe ka bërë ankesë për vendimin e Themelores.