Komandanti i dyshuar për masakrën e Reçakut dhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi “mbron” Vuçiqin nga studentët
Pjesëtarë të njësitit famëkeq të ushtrisë serbe, “Beretat e Kuqe” janë parë të martën në kampin para Presidencës së Serbisë në mbështetje të atyre që “kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve”.
Një prej tyre ka qenë ish-koloneli Goran Radosavljeviq – Guri, emri i të cilit lidhet me masakrën e Reçakut dhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
E Guri ka qenë komandant i xhandarmërisë dhe drejtues i operacionit në Reçak, në masakrën e 15 janarit 1999. Ai vitin e shkuar pati thënë që nuk ka frikë nëse emri i tij do të paraqitet në aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masakrën e Reçakut.
Forcat serbe më 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak masakruan 45 civilë shqiptarë. Shumica e të vrarëve u qëlluan në kokë, nga një distancë e afërt.
Ai asnjëherë nuk u akuzua për krimet e kryera në Reçak.
Ai ka qenë anëtar i Bordit kryesor të Partisë Progresiste Serbe (SNS) që është në pushtet.
Radosavljeviq ka shkuar aq larg duke pretenduar se shefi i atëhershëm i OSBE-së në Kosovë, William Walker, “kishte hyrë në Reçak me terroristë gjatë natës, dhe sollën trupa nga vende tjera”, transmeton Koha.net
Radosavljeviq lidhet edhe me vrasjen e vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi.
Pjesëmarrës ishte edhe Zhivojin Ivanoviq, i njohur si Zhika, që ishte po ashtu pjesëmarrës në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Që nga fundjava e shkuar serbë, që thonë se janë studentë, janë grumbulluar në një park afër Presidencës së Serbisë dhe kanë ngritur kamp. Sipas raportimeve të mediumeve të pushtetit, ata janë “studentë që duan të mësojnë”, dhe që “duan të kthehen në klasat e tyre sa më shpejtë që të jetë e mundshme”.
Ky kamp po konsiderohet si “mburojë” për Vuçiqin para protestës së paralajmëruar për 15 mars nga studentët.
Serbia është duke u përballur vazhdimisht me protesta masive të studentëve që po kërkojnë drejtësi për 15 viktimat e 1 nëntorit kur në Novi-Sad u shemb streha e hekurudhës.