Gjakovari gënju policinë se u rrah e plaçkit nga hajnat, arrestohet nga policia!

E plotësuar – Një 52-vjeçar nga Gjakova inskenoi një rast grabitjeje të mërkurën. I njëjti fillimisht deklaroi në polici se dy persona të panjohur e kishin sulmuar fizikisht e ia kishin marrë telefonin.

Sipas tij, të njëjtit kishin provuar t’ia marrin edhe kuletën, por pasi nuk kishin gjetur mjete monetare brenda ia kishin kthyer prapë. Rastin e raportoi në polici po atë ditë rreth orës 17:00.

Organet e rendit dolën në vendngjarje e kryen hetime. Kur nuk po gjenin prova qe e vërtetonin ndodhinë e thirrën sërish burrin për intervistim të enjten, kur ky i fundit tha se rasti nuk ngjau fare.

“Ka deklaruar se nuk është e vërtetë por këtë e ka thënë përshkak të një borxhi paraprak që ka pasur dhe përshkak të familjarëve të tij. Prandaj prokurori i rastit ka lëshuar urdhër për ndalim për 48 orë për te njëjtin”, tha Yllka Juniku-Shehu, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Sipas Juniku-Shehut, ndalimi u bë nën dyshimin e bazuar se 52-vjeçari ka kryer veprën penale kallëzim i rremë.

***

Titulli: Grabitet një burrë në Gjakovë: Hajnat ia marrin telefonin, por ia kthejnë kuletën pasi s’pati para

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

Një numër i madh i këtyre rasteve përcillen edhe me sulme e dhunë. Kështu ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Besim Vokshi” në Gjakovë, ku është grabitur një 42-vjeçar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima u përballë me disa persona, të cilët e sulmuan duke e rrëzuar përtokë, me ç’rast arritën t’ia merrnin telefonin dhe kuletën. Megjithatë këtë të fundit ia kthyen, sepse e gjetën thatë.

Lexo edhe:  Këto vende do mbesin nesër pa rrymë deri në 7 orë

Viktima nuk ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit, por me rastin e denoncimit të rastit ka përshkruar se si ndodhi ngjarja, në orët e pasdites.

Sinjali mëson se tashmë edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për raportimin e këtij rasti dhe ka dhënë urdhër që të nisin hetimet për veprën “Grabitje”, derisa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapen të dyshuarit.