Pejë: Djali bashkë me gruan e rrahin njerkën, 35-vjeçarja kërkon ndihmën e Policisë

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një ndër dukuritë më shqetësuese në vend, ku zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes.

Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Pejë, ku viktimë ishte një grua 35-vjeçare.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se këtë herë viktima e ka denoncuar djalin e bashkëshortit të saj (nga martesa e kaluar) dhe nusen e tij.

Bazuar në informacionet e para, i dyshuari bashkë me gruan kanë ushtruar dhunë ndaj njerkës së tij, duke i bërë presion me ofendime të ndryshme, e më pas kanë eskaluar në sulm.

Burri i viktimës (babai i të dyshuarit) i ka kapur në flagrancë çiftin dhe është njoftuar Policia.

Si rezultat i denoncimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit.

Lexo edhe:  Familja nga Vushtrria në hall me të birin, nëna e denoncon për dhunë në Polici