28-vjeçarja në Prishtinë raporton se e dhunoi i dashuri, e detyroi të kryejnë marrëdhënie seksuale pa dëshirë

Ngacmimet, sulmet dhe dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave në Kosovë janë shndërruar në një fenomen shqetësues, pasi që pothuajse çdo ditë raportohen raste të tilla. Të dyshuarit shpesh herë janë persona të afërt të cilët ishin ose janë në lidhje dashurie, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e trishtë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një 28-vjeçare ka raportuar në Polici se është dhunuar seksualisht nga dashuri i saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit, derisa çifti ishte në banesën e të dyshuarit në kryeqytet, ku i njëjti dyshohet se e ka detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta raportojë të dyshuarin, me të cilin është në lidhje dashurie që rreth 1 vit.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar por akoma s’ka arritur të arrestojë të dyshuarin, përkundër kërkimeve.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë që të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.

Lexo edhe:  Humb jetën tragjikisht në Francë mërgimtari nga Kosova