Nëse shtrenjtohet rryma, paralajmërohet shtrenjtim i bukës dhe artikujve tjerë elementar
Shoqata e Mullistëve të Kosovës paralajmëron shtrenjtimin e miellit dhe bukës, nëse shtrenjtohet energjia elektrike për 35 për qind prej 1 prillit 2025, ashtu siç po kërkojnë kompanitë e sektorit të energjisë: KEDS, KESCO dhe KOSTT.
Çmimi i një buke në tregun e Kosovës aktualisht është 50 cent, përderisa para shtrenjtimit paraprak të rrymës për 100 për qind në vitin 2022 një bukë shitej 30 cent. Me shtrenjtimin e rrymës furrtarët kosovar u nxituan ta shtrenjtojnë edhe bukën fillimisht në 40 cent dhe më pas 50 cent.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikim të drejtpërdrejtë në koston e prodhimit, pasi që në industrinë e mullistëve dhe prodhuesit e tjerë të produkteve ushqimore e përdorin energjinë për proceset e tyre prodhuese.
Bashkim Zejnullahi, kryetar i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e tij se një rritje e mundshme prej 35% e çmimit të energjisë mund të “ngufatë” industrinë e mullistëve dhe prodhuesve të tjerë ushqimorë.
‘’Dëgjova që pritet rritje e rrymës për 35%. Kjo e ngufatë komplet industrinë, sigurisht që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë ‘’, tha Zejnullahi.
Ai ka thënë se rryma është indikatori i prodhimit dhe ka theksuar se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike do të rrisë automatikisht çmimin e bukës, pasi të gjithë bukëpjekësit përdorin energjinë elektrike për pjekjen e bukës.
‘’Rryma është indikatori i prodhimit dhe sigurisht se rritet edhe çmimi i bukës. Nëse rritet çmimi i rrymës, të gjithë bukëpjekësit pjekjen e bukës e bëjnë me rrymë, kështu që normalisht që do të ketë ndikim të madh’’, deklaroi Zejnullahi
Zejnullahi e ka konsideruar këtë rritje si ekstreme që mund të dëmtojë jo vetëm industrinë e mullistëve, por të gjitha bizneset.
’Me të vërtetë 35 % s’ka teori, është çmim ekstrem dhe mendoj se do ta ngufasë çdo industri’’, përfundoi Zejnullahi.
Kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Selatin Kaçaniku, ka deklaruar se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike ka një ndikim të menjëhershëm në treg dhe në xhepin e konsumatorit, duke shkaktuar një “ortek” që është i pamundur të ndalohet nga ndonjë politikë tjetër.
‘’Çdo rritje e çmimit të rrymës reflekton në treg dhe në xhepin e konsumatorit si ‘’ortek’’ t cilin nuk mund ta ndal asnjë politik tjetër’’, tha ai.
Sipas tij, kjo rritje ka një ndikim domino, duke pasuar me rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve të tjera, çka do të çojë në një ngritje të vazhdueshme të kostove për konsumatorët.
‘’Sipas efektit domino të gjitha produktet tjera dhe shërbimet do të ndikohen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe do të reflektojë me ngritje të vazhdueshme’’, deklaroi Kryetari I Shoqatës së Konsumatorëve.