Zbulohet emri i personit që goditi me motoçikletë policin në Prizren, përfundon në pranga

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kanosje serioze, që eskalojnë në sulme fizike, duke ua vështirësuar punën e kërcënuar jetën. Kështu ndodhi edhe të hënën paradite në Vlashnjë të Prizrenit, ku një zyrtar policor u godit me motoçikletë nga një person, raporton Gazeta Sinjali.

I dyshuari që sulmoi policin fillimisht arriti të ikë, por pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme nga Policia, i njëjti përfundoi në pranga.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Imran Hoxhaj, rreth 21-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Hoxhaj dyshohet se ka shpërfillur urdhrat e Policisë për t’i prezantuar dokumentet pasi u ndal për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë.

Në shenjë revolte, Sinjali merr vesh se i dyshuari me qëllim nuk ka zbatuar urdhrin zyrtar dhe në mënyrë të vrullshme është nisur me motoçikletë, duke e goditur një zyrtar policor.

Polici ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka vazhduar për të ndjekur të dyshuarin, por i njëjti fillimisht arriti të ikë.

Megjithatë, pas asistimit të patrullave nga stacioni policor në Prizren, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar, ndërsa motoçikleta i është sekuestruar.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe pas përfundimit të procedurave policore është dërguar në mbajtje.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lexo edhe:  Gjenerali Rrahman Rama takon për kafe shokët e luftës në Mitrovicë