Sllobodan Gavriq i dënuar për terrorizëm tenton të largohet nga Kosova
I dënuari me 11 vjet burgim për rastin e 12 kg eksploziv që iu gjetën në veturë para 11 vitesh, ka tentuar të largohet nga Kosova, përmes pikës kufitare në Merdar.
56-vjeçarit serb i cili e ka të ndaluar të largohet nga vendi i dështoi tentativa për të ikur dhe përfundoi në burg.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Sllobodan Gavriq, i dënuar për vepër terroriste nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Bazuar në informacionet që ka Sinjali, Gavriq ishte liruar me kusht, por në vendimin që ishte lëshuar thuhet se i njëjti nuk lejohet ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, i njëjti është arrestuar dhe nga Policia është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese për ta vuajtur dënimin.
Çka dihet për rastin e vitit 2014?
Gavriq ishte kapur teksa po bartte me veturën e tij 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 gramë, të cilat sipas aktakuzës përmbanin eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, që shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Gavriqi këtë sasi të eksplozivit e kishte transportuar nga Beogradi për në Prishtinë me veturën e ti “Renault Clio”.
Në lagjen Dragodan, ai ishte ndaluar nga Policia e Kosovës me ç ‘rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin ishte vendosur eksplozivi.