“Fiton shumica”, Vedati e Mensuri vazhdojnë si “Stupca” pa Osmanin
Grupi i njohur humoristik, “Stupcat”, do ta vazhdojë rrugën artistike pa njërin prej ikonave të tij, Osman Azemin. Vedat Bajrami e Mensur Safqiu kanë njoftuar se “e përbëjnë shumicën” dhe do të vazhdojnë punën në grup.
Një ditë më parë, Bajrami në emisionin “Express” në KTV pati deklaruar se grupi do të rikthehet së shpejti me befasi, pas një pauze gati dyvjeçare.
Megjithatë, kjo u mohua nga Osman Azemi që të premten gjatë ditës u shpreh se “‘Stupcat’ nuk kthehen” e se “ata mbesin në arkiv”.
Ndërkaq, në një përgjigje të mëvonshme për KOHËN, Bajrami dhe Safqiu kanë thënë se do ta vazhdojnë bashkë rrugëtimin.
“Unë, Vedat Bajrami dhe Mensur Safqiu, vazhdojmë rrugëtimin tonë dhe do të jemi afër publikut gjithë jetën. Për dikë ‘Stupcat’ mbesin ‘Arkiv’. Për mua dhe Mensurin, ‘Stupcat’ vazhdojnë. Ne e përbëjmë shumicën dhe për këtë punë mjafton që jemi unë dhe Mensuri në rrugën tonë dhe pranë publikut tonë. Ju duam”, ka thënë Bajrami në një përgjigje për KOHËN të premten.
“Stupcat” përbëjnë një prej grupeve më të suksesshme të humorit në vend. Ky grup është në skenë qe dy dekada.