Pacolli me Kastratin i ofrojnë Parashqevisë banesë dhe pension mujor në Kosovë a Shqipëri

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, njëherësh themelues i fondacionit me emrin e vet, ka thënë se do ta ndihmojnë artisten shqiptare, Parashqevi Simaku.

Kjo pas shfaqjes së një videoje nëpër mediat sociale, ku u tha se në të paraqitej artistja Simaku.

Pacolli tha se gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me humanistin Halil Kastrati dhe me ish-konsullin e Kosovës në Kanada, Donat Syla, “ky i fundit na informoi në detaje për gjendjen e rëndë të këngëtares së famshme shqiptare, Parashqevi Simaku”.

Kështu, ai tha se dy organizatat bamirëse, shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacioni “Behgjet Pacolli”, do t’i dalin në ndihmë artistes.

“Ne, Shoqata ‘Jetimat e Ballkanit’ dhe Fondacioni ‘Behgjet Pacolli’, shprehim gatishmërinë për të vënë në dispozicion një banesë dhe për të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për transferimin e saj në Kosovë ose Shqipëri, duke i garantuar asaj punësim adekuat ose një pension mujor”.

“Shoqëria jonë duhet të përkujdeset për personalitetet që kanë dhënë shumë për kombin”, shkroi Pacolli në Facebook.

Lexo edhe:  Hajnat e bëjnë qyl shtëpinë e pronarit të Spitalit “Lindja”, vjedhin rreth 48 mijë euro