Terrorizohen nga të shtënat me armë banorët e Kodrës së Trimave, Policia gjen në vendngjarje 11 gëzhoja

Përdorimi i armëve të zjarrit është bërë një dukuri shqetësuese në vendin tonë. Shumë shpesh Policia merr informacione se në qytete të ndryshme dëgjohen të shtëna me armë, duke u rrezikuar kështu jeta e qytetarëve.

Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën ‘Xhevat Begolli’ në lagjen Kodra e Trimave në kryeqytet, ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një banor i asaj zone ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se rasti ka ndodhur rreth orës 02:30, por pasi që ka dëgjuar të shtënat nuk ka parë asgjë të dyshuar.

Mirëpo kur është zgjuar në mëngjes, i njëjti ka vërejtur gëzhoja armësh para oborrit të shtëpisë së tij, për çka ka lajmëruar menjëherë organet e rendit.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 11 gëzhoja të cilat dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, por janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Lexo edhe:  E rëndë: Prindërit nga Vitia në telashe me të birin, 21-vjeçari sulmon babain e kërcënon nënën