I riu në Prishtinë kapet me marihuanë dhe thikë
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar në rrugën “Xheladin Kurbaliu” në kryeqytet, ku Njësia e Antidrogës ka ndalur për kontroll një 22-vjeçar.
Burimet e Sinjalit njoftojnë se gjatë kontrollit, të riut i janë gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një mjet i mprehtë.
Gjësendet e kundërligjshme janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa 22-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.