Vdekje e dyshimtë në Fushë Kosovë, burri i denoncuar për dhunë në familje dërgohet pa shenja jete në QKMF

Një rast i rëndë ka ndodhur në një familje në Fushë Kosovë, ku u kërkua ndihma e Policisë dhe u denoncua për dhunë familjari i tyre 52-vjeçar – i cili u dërgua më pas pa shenja jete në QKMF.  Rasti tashmë po hetohet dhe janë zbuluar detajet e asaj që ndodhi

Siç merr vesh Sinjali, ngjarja u raportua të ketë ndodhur mbrëmjen e 26 nëntorit, kur Policia intervenoi në vendin e ngjarjes, pasi u denoncua një rast i dhunës në familje.

Me të arritur në vendin e ngjarjes, njësia policore nuk e kishte gjetur të dyshuarin, tashmë të ndjerë, në shtëpi dhe kanë nisur kërkimet për të.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi Policia ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e tij në rrugën “Meshari”, e kanë ndalur – por që aty u përballën me një situatë jo fort të zakontë.

Bazuar në informacionet e para, 52-vjeçari është rrëzuar në tokë gjatë bisedës që ka pasur me zyrtarët policorë dhe menjëherë me urgjencë është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për trajtim mjekësor.

Ndonëse në vendngjarje dyshohet se ka qenë me vetëdije, gjendja e tij është përkeqësuar dhe pasi është pranuar në QKMF, është konstatuar vdekja e tij nga ekipi mjekësor.

Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit.

Me vendim të tij, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion dhe rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, për të zbardhur në plotni rastin.

Lexo edhe:  Vdes në QKUK infermierja nga Malisheva, ishte shtatzënë