Suspendohet Arbnor Rexhepi, polici i gjeneratës së 60-të që u zu duke blerë narkotikë
Një zyrtar policor është ndaluar për 48 orë, pasi që u arrestua ditën e djeshme në një operacion të realizuar nga Antidroga e Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Nga operacioni policor i quajtur “Freeshopi” u arrestuan tre persona, njëri prej tyre polic i cili tashmë është suspenduar.
Kjo u konfirmua nga Inspektorati Policor i Kosovës për lajmi.net.
Nga Inspektorati kanë thënë se zyrtarit policor tashmë të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
“Si pjesë e procedurave administrative i njëjti edhe është suspenduar me rekomandim të IPK-së. Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”, kanë thënë nga IPK.
E siç raportohet deri më tani, zyrtari policor u zu duke blerë narkotikë të llojit kokainë nga një diller në lagjen e Muhaxherve në Prishtinë.
Arbnor Rexhepi, zyrtari policor i arrestuar për drogë “ishte interesuar” për kokainë , por nuk dihet nëse për vete apo për ta shitur më pas tek dikush tjetër.
Rexhepi, i cili ishte zyrtar policor nga gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës tashmë është duke u hetuar për narkotikë, madje të një lloji tejet të rrezikshëm.