Tragjedia në familjen Myftari: Ky është i dyshuari dhe vëllai i tij që e theri për vdekje me thikë

Një ngjarje tragjike ndodhi të dielën në mbrëmje jo fort larg qendrës në Prishtinë, ku u shënua një incident i rëndë që përfundoi me fatalitet. Për motive akoma të panjohura, Gent Myftari theri për vdekje me thikë vëllain e tij, Auron Myftarin, te banesa e tyre në rrugën “Tirana”, raporton Gazeta Sinjali.

Motivet e rastit akoma nuk dihen, teksa tashmë ka nisur hetimi nga Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Viktima dhe dorasi janë vëllezër të regjisorit të njohur kosovar, Agron Myftarit, i cili njoftoi sot për humbjen e vëllait dhe bëri të ditur se nesër bëhet varrimi i tij.

Genti po dyshohet se ia mori jetën vëllait të tij, Auronit – duke e therur disa herë me thikë, te kompleksi banesor ku ata jetonin.

Lajmin e konfirmoi Policia dhe lidhur me rastin edhe Prokuroria doli me njoftim.

Ndaj Gent Myftarit, tashmë është lëshuar urdhri për ndalim policor dhe Prokuroria deklaroi se rasti po hetohet në drejtim të veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia.

Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një (1) person.”

Lexo edhe:  Shëmbet muri në Tetovë, humbin jetën dy persona

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.