“Jua mbushi trupin plumba”, ky është prizrenasi me të kaluar kriminale i arrestuar për sulm e kanosje ndaj disa grave
Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për caktimin e masës së sigurisë ndaj një personi me të kaluar kriminale, i arrestuar para disa ditësh për sulm e kanosje, ku viktima janë disa gra. I dyshuari ka qëndruar në arrati deri nga 6 tetori deri më 16 tetor, kur Policia ka siguruar prezencën e tij, ndërsa tashmë ndodhet prapa grilave, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Flamur Kadriaj, ndaj të cilit, gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit.
Kadriaj po dyshohet se për motive akoma të panjohura, i ka kanosur viktimat seriozisht, ku ndër të tjera iu është drejtuar me fjalët “Jua mbushi trupin plumba”.
Vendimi i gjykatës
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili njoftoi se Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit si të bazuar.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën po dyshohet.
Caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm me qëllim të sigurimit të prezencës së pandehurit në fazën hetimore, dhe nga data 06 Tetor kur dyshohet të ketë ndodhur ngjarja deri më datë 16 Tetor i pandehuri ka qenë i paarritshëm për institucionet e drejtësisë, ekziston rreziku se me lënien në liri i njëjti mund të ipet në arrati.
Po ashtu hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare, dhe do të merren dhe sigurohen edhe prova tjera materiale dhe deklaratat e dëshmitarëve, andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe prova.” – thuhet në përgjigjen e Lekajt, raporton Sinjali.
Po ashtu, thuhet se është marrë parasysh edhe pesha e rëndë e veprës penale, si dhe ndër të tjera edhe fakti që i njëjti është i dënuar dy herë.
“Gjithashtu, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën në të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, sepse kemi të bëjmë me vepra penale ndaj jetës dhe trupit, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet të jenë kryer veprat penale, sjelljen agresive të të dyshuarit, me çka tek të dëmtuarat ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri, gjithashtu duke marrë parasysh karakteristikat personale të të dyshuarit, faktin se është i dënuar me dy (2) aktgjykime të formës së prerë.”