Kurti: Ushtria serbe lëvizi 50 metra afër kufirit, iku kur e xhiruam
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar pamje për të cilat ka thënë se tregojnë lëvizjen e Ushtrisë serbe 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, të shtunën. Ai ka thënë se trupat ushtarake kanë ikur në drejtim të Serbisë kur kanë parë që janë vërejtur e xhiruar nga forcat e Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, ai e ka quajtur provokim këtë lëvizje të Serbisë.
“Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, ka shkruar ai.
Kurti ka thënë se Qeveria ka investuar në ngritjen e kapaciteteve për të parandaluar çdo kërcënim.
“Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë. Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës. Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës”, ka shtuar ai.