Polici plagos aksidentalisht kolegen zyrtare policore në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë
Një zyrtare policore është plagosur sot nga një zyrtar tjetër policor, në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar IPK dhe ka bërë të ditur se incidenti dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht.
Polici i dyshuar është suspenduar, ndërsa policja e lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor.
Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.”