Gruaja nga Mitrovica kërcënon burrin, vjehrrin dhe kunatin, tenton t’ia marrë armën policit që intervenoi

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku përfshihen burrat, gratë e fëmijët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes. Kështu dyshohet se ndodhi së fundmi në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë, por këtë herë u arrestua një grua.

Siç merr vesh Sinjali, një 41-vjeçare u prangos nga Policia pasi dyshohet se u fut në një konflikt me familjarët e saj.

Bazuar në informacionet e para, e dyshuara i ka kërcënuar seriozisht burrin e saj, vjehrrin dhe kunatin e saj, pas një mosmarrëveshje mes tyre që eskaloi në kanosje.

Përballë kësaj situate, rasti u denoncua menjëherë në Polici dhe si rezultat, njësitë policore intervenuan në vendin e ngjarjes.Të njëjtat burime thonë për Sinjalin se e dyshuara ka tentuar që t’ia marrë armën njërit prej policëve, por nuk ka arritur dhe është arrestuar.

Pas shoqërimit në stacion policor, 41-vjeçarja është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Kanosje”.

Lexo edhe:  Pesë të lënduar në një aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj