Skandal pas skandali: Punëtorët e sektorit publik pa paga, FSK-ja ushqehet nga Mensa e Studentëve

Një stuhi kritikash ka shpërthyer në drejtim të Qeverisë së Kosovës për dy skandale të mëdha që kanë lënë punëtorët e sektorit publik të papaguar dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me zgjidhje alternative për sigurim të ushqimit.

Nga thirrjet për kërkim falje e deri te thirrjet për protesta kolektive ishin disa nga reagimet e opozitës.

Ditëve të fundit u raportua lidhur me dështimin e ekzekutimit të pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale për muajin shtator.

Skandali ishte si pasojë e skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

Po ashtu, u raportua se në FSK kishte plasur një skandal. Kontrata që i skadoi operatorit të deriatëhershëm më 30 shtator, e ka lënë FSK-në pa një operator tjetër që do të siguronte ushqimin.

Por cila është zgjidhja e qeverisë?

Angazhimi i punëtorëve të Mensës së Studentëve që të udhëtojnë në kazerma për t’ua përgatitur ushqimin ushtarakëve.

Sipas një dokumenti të publikuar, e që u është shpërndarë departamenteve brenda Ministrisë së Mbrojtjes, ky dikaster do të sigurojë transportin e tyre, raporton Nacionale.

Lexo edhe:  Latifi: E kam përkrahjen e Kurtit, jap dorëheqje nëse nuk ua mbaj anën mjekëve